Edoardo Reja është një trajner me një karrierë të gjatë dhe ka milituar thuajse në të gjitha kategoritë e futbollit italian. Në Shqipëri do të ketë shansin të arrijë kuotën e 1001 ndeshjeve si trajner. “Panorama Sport” sjell disa nga sekretet e karrierës së tij.
* Aventura e Edi Rejas në krye të Kombëtares shqiptare është e 26-ta për të si trajner. E ka nisur rrugëtimin në vitin 1979 dhe bashkë me Luçeskun është një nga trajnerët më të vjetër në aktivitet.
* Nga kjo karrierë e gjatë, Edoardo Reja është shkarkuar 5 herë nga presidentët e skuadrave për rezultate të dobëta.
* Kjo është hera e parë që ai drejton një skuadër kombëtare. Karriera e tij ka qenë e përqendruar gjithmonë në Itali, me përjashtim të një viti kur drejtoi Hajdukun e Splitit në Kroaci.
* 2 tituj ka fituar 73-vjeçari në karrierën e tij, të cilët mund të quhen tituj simbolikë. Ka arritur të fitojë 2 Serie B me Breshan dhe Viçencën.
* Deri tani ka qenë trajner në 993 ndeshje zyrtare dhe në drejtimin e kuqezinjve do të ketë mundësinë të arrijë 1000 ndeshje. Ka në dispozicion 8 të tilla (do të shkojë 1001) dhe ato të fundit do të jenë shumë të rëndësishme për kualifikimin në Europian (nëse situata do të jetë pozitive).
* Bilanci i tij i përgjithshëm është 372 fitore, 204 barazime dhe 317 humbje. Përqindja e ndeshjeve të fituara është 37.46%.
* Skuadra që Edi Reja ka mundur më shpesh në karrierën e tij është Bolonja 11 herë dhe Parma renditet e dyta me 10.
* Ecurinë më të mirë, trajneri i Kombëtares shqiptare e ka pasur te Hajduku i Splitit në Kroati, teksa arriti të grumbullonte mesatarisht 2 pikë për ndeshje, po aq sa me Kaljarin.
* Aventura më jetëgjatë e tij në krye të një skuadre ka qenë te Napoli. E drejtoi ekipin nga viti 2005 deri në vitin 2009 në një total prej 1514 ditësh. E mori skuadrën në Serinë C dhe e dërgoi në Europë.
* Ndeshja e fundit që ka drejtuar Edoardo Reja ka qenë Xhenoa-Atalanta në sezonin 2015-2016 dhe e ka fituar me rezultatin 1-2. Në atë sfidë ka luajtur edhe Berat Gjimshiti si titullar.
* Trajneri me të cilin Reja është përballur më shumë gjatë karrierës së tij është Xhan Piero Ventura. Kanë luajtur 17 sfida me njëritjetrin ku nuk ka fitues, 6 triumfe për secilin dhe 5 barazime.
* Fitorja më e thellë që ka arritur në karrierën e tij ka qenë 6-0, e përsëritur në disa ndeshje (Lacio-Rabotniçki), (Viçenca-Empoli). Po ashtu, ka arritur të fitojë 5-0 me Napolin kundër Vllaznisë në eliminatoret e Kupës UEFA.
* Humbja më e thellë për Rejan është 5-0, kur ishte trajner i Veronës dhe u mposht nga Napoli.
* Në karrierën e tij ka luajtur 3 “finale” dhe ka arritur të fitojë vetëm një prej tyre. Triumfoi në Superkupën e Serisë C me Napolin kundër Specias, por ka humbur dy “play-off”-e në Serinë C dhe në Serinë B.
* Në 5 ndeshjet e tij debutuese si trajner, Reja ka arritur të fitojë vetëm 2 dhe ka humbur 3 të tjerat. Shpresojmë që me Shqipërinë ta nisë me këmbën e mbarë.
* Blerja më e shtrenjtë e Edi Rejas si trajner është mesfushori brazilian Hernanes nga Sao Paolo te Lacio, i cili u transferua për 13.5 milionë euro. I dyti është Serxho Flokari për 8.5 milionë dhe i treti Maxho me 8 milionë euro.