Vllaznia ka disa dilema akoma pa i zgjidhur. Kështu, klubi kërkon që mbarojë punë sa më shpejt me futbollistët që u ka përfunduar kontrata dhe janë në planet e trajnerit Mirel Josa për sezonin e ri.
Mes këtyre futbollistësh të rëndësishëm që u ka përfunduar kontrata, janë Bojan Zogoviç, Mevlan Adili, Darko Bulatoviç, Esin Hakaj, Fjoart Jonuzi dhe Victor Da Silva, të cilëve kontratat e tyre u kanë skaduar në fund të sezonit.
Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se, të gjithë duken afër nënshkrimit të një vazhdimi të kontratës, por asnjëra palë nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen. Gjërat më të vështira duken me Hakajn, pasi mbrojtësi i majtë ka shumë oferta.
Me të tjerët, siç janë Zogoviç, Adili, Bulatoviç, Jonuzi dhe Da Silva mendohet se do të gjendet gjuha e përbashkët dhe të pestë do të firmosin kontratë të re. Megjithatë, akoma e ardhmja e tyre është e paqartë momentalisht, teksa nuk ka akoma asgjë zyrtare të konfirmuar.
Ndërkohë, vlen të theksohet se futbollisti i parë që klubi shkodran arriti marrëveshjen për rinovim të kontratës ishte mesfushori Ardit Hoxhaj, i cili shënoi edhe golin e barazimit të përkohshëm në finale. Sa u përket titullarëve të tjerë, si kapiteni Gurishta, Latifi, Heriç, Kruja apo edhe Aralica, janë në kontratë edhe për sezonin e ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI