Me kalimin e ditëve edhe mundësitë e merkatos limitohen, sepse jemi në kushtet e konkurrencës. Megjithatë, te Vllaznia nuk duan të nxitohen, teksa janë duke parë shumë profile futbollistësh, por nuk kanë bërë hapa përpara sa u takon zyrtarizimeve dhe firmosjes së kontratave.
Klubi kuqeblu ka zgjedhur strategjinë e të vepruarit me kujdes, pa çmenduri financiare, siç kanë pohuar edhe vetë drejtuesit, por kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta. Realisht, për të siguruar futbollistë me kualitet duhet nxituar pak dhe poashtu duhet shpenzuar.
Megjithatë, bilanci do të bëhet në fund, teksa në kampin kuqeblu pohojnë se janë duke punuar çdo ditë për të pasur një skuadër të denjë sezonin e ardhshëm. Në fakt këtë sezon, “muzika” do të ndryshojë dhe Vllaznia do të bëhet pothuajse nga fillimi, duke mos pasur shumë futbollistë në dispozicion nga sezoni paraardhës.
Gjithsesi, drejtuesit kërkojnë të analizojnë me qetësi secilin prej profileve të futbollistëve dhe emrave që kanë në tavolinë, por merkatoja ka shumë zhvillime dhe në Shkodër duhet vepruar shpejt. Të presim dhe të shohim…
Maringlen ZHIVANI