Te Vllaznia ka ardhur momenti që të ndodhë kthesa e madhe, përndryshe gjithë puna dhe djersa e derdhur deri tani mund të shkojë kot.
Kalendari u vjen në ndihmë të besuarve të trajnerit Brdariç, pasi dy ndeshjet e radhës në kampionat dhe çerekfinalen e Kupës i luajnë në shtëpi.
Bëhet fjalë për tri sfida mjaft vendimtare për objektivat europianë, takime të cilat do të luhen në kuadrin e 9 ditëve. Më 8 mars luajnë javën e 23-të të kampionatit me Kukësin, më pas presin Bylisin po për kampionat dhe më 17 mars është përballja e Kupës me Korabin.
Sfida e radhës me verilindorët ka shumë rëndësi, pasi nga përfundimi i saj varet edhe kreu. Duke ditur që ndjekësit janë shumë pranë, vetëm trepikëshi me Kukësin do t’i jepte siguri skuadrës shkodrane për të ruajtur vendin e parë.