Pavarësisht se ka më shumë se 3 javë që te Vllaznia kanë nisur përgatitjet për sezonin 2025-26 dhe madje kuqeblutë janë nisur edhe drejt Sllovenisë për zhvillimin e fazës përgatitore, daljet për shtyp apo intervistat e futbollistëve kuqeblu kanë munguar.

Që prej finales së 12 majit kundër Egnatias, të humbur në shifrat 4-0, daljet mediatike për lojtarët e Vllaznisë kanë qenë thuajse 0. Duke përjashtuar në një rast vetëm një intervistë të kapitenit, Bekim Balaj edhe ajo e lidhur me tematikën e ndeshjes Shqipëri-Serbi dhe jo aktualitetin në kampin shkodran.

Nga çfarë mësohet, nga ana e drejtuesve të klubit është vendosur një lloj heshtjeje për shtyp, në mënyrë që momentalisht skuadra të jetë e fokusuar vetëm te fusha e stërvitjes.

Po ashtu edhe deklaratat e drejtuesve apo edhe trajnerit Martini kanë qenë me “pikatore” gjatë kësaj periudhe kohore. Me trajnerin shkodran që njihet si një prej atyre personazheve që është “hermetik” ndaj medias dhe kërkon të “ruajë” në mënyrë maksimale skuadrën e tij.

Ky patjetër është thjesht një vendim momental i drejtuesve të 9 herë kampionëve të vendit që aktualisht kërkojnë të përqendrohen vetëm te fusha e lojës dhe jo deklaratat e ndryshme që mund të jepen nëpër media.