Sipas një raporti nga “The Sun”, ish trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, mund të jetë në linjë për një rol të mundshëm te Manchester United, në rast se klubi vendos të ndërrojë drejtimin teknik.

Megjithëse Ruben Amorim vazhdon të ketë mbështetje publike nga drejtuesit e klubit, United si një institucion i madh nuk mund të lejojë të zërë në befasi nëse një ndryshim bëhet i domosdoshëm.

Raporti shton se Mancini i ka treguar miqve të tij se United mund t’i ofrojë punën në rast të një ndarjeje me Amorimin. Po ashtu, ai është takuar disa herë me bashkëpronarin e United, Sir Jim Ratcliffe, “në evente të ndryshme publike”, ndërsa të dy jetojnë në jug të Francës.

60-vjeçari italian është pa punë që prej largimit nga posti i trajnerit të kombëtares së Arabisë Saudite vitin e kaluar. Mancini është i njohur për periudhën e tij të suksesshme te Manchester City (2009–2013), ku fitoi Ligën Premier në sezonin historik 2011/12 dhe FA Cup një vit më parë, duke vendosur themelet e dominimit modern të klubit blu të Mançesterit.

Nëse raportet konfirmohen, rikthimi i Mancinit në Manchester – këtë herë në anën tjetër të qytetit, do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme të kampionatit anglez në vitet e fundit./Telegrafi/