Partizani ka nisur përgatitjet pas aventurës në Ligën e Konferencës. Të kuqtë u rikthyen të stërviten të premten e kaluar, me përgatitjet që kanë vijuar gjatë gjithë këtyre ditëve, përveç së dielës, kur stafi i la pushim.

Të mërkurën, Partizani luajti një ndeshje miqësore kundër Kastriotit, e cila përfundoi me rezultatin 0-0, ndërsa të premten, të kuqtë do të luajnë një takim miqësor kundër Besëlidhjes, në stadiumin e Lezhës. Kundër Besëlidhjes, pritet të jenë në fushë të gjithë titullarët. Më datë 16 gusht, të kuqtë e Ilir Dajës do të nisen drejt Ohrit për të kryer një tjetër fazë përgatitore në vigjilje të sezonit të ri 2021-’22.

Vllaznia dhe Burreli do të luajnë një ndeshje miqësore sot në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Vetë klubi shkodran ka konfirmuar zhvillimin e kësaj miqësoreje, nga e cila trajnerët Tomas Brdariç dhe Saimir Patushi (dikur futbollist i Vllaznisë) do të shikojnë më mirë gjendjen e ekipeve.

Shkodranët vijnë pas aventurës në Europë dhe një jave pushim, ndërsa tani kanë nisur përgatitjet për finalen e Superkupës ndaj Teutës, e cila është programuar të zhvillohet më 28 gusht.

Në testin e nesërm, trajneri Brdariç do të shikojë për herë të parë në kushte loje edhe dy lojtarët që janë në provë, pikërisht qendërmbrojtësin Kristi Marku dhe mesfushorët Albin Sadrijaj e Ilir Mustafa. Aktualisht, kuqeblutë nuk janë të plotë, pasi në seancat e para kanë munguar disa lojtarë, të cilët sipas klubit kanë marrë leje.