Kampionët e Shqipërisë kryen ditën e djeshme seancën e fundit përpara ndeshjes së kësaj fundjave, të premten, por kamerat nuk u lejuan, pasi Martini kishte praktikuar dyert e mbyllura.
Ose, e thënë ndryshe, heshtje për shtyp. Bregdetarët kanë pasur shumë oshilacione këtë kampionat. Ndërsa në tri ndeshjet e fundit s’kanë fituar asgjë, duke marrë 0 pikë në tre takimet e fundit.
Ky fakt ka bërë që stafi teknik me në krye Edi Martinin të vendosin heshtje për shtyp me motivacionin:
“Ndeshja e radhës ndaj Laçit duhet të përgatitet në qetësi dhe larg presionit, për të shmangur ndonjë hap fals”.
“Djemtë e detit” mbyllën përgatitjet në terren për ndeshjen e radhës me Laçin, e cila do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Arena Egnatia”.
Martini e nisi seancën stërvitore me një analizë që në fokus kishte ndeshja e radhës.
Ndër të tjera Martini kërkoi nga skuadra të qëndrojë me “këmbë në tokë” dhe të rikthehet te rezultatet pozitive, pasi pavarësisht kundërshtarit një hap tjetër fals do të ishte shkatërrues për bregdetarët edhe pasi përballë kanë një kundërshtar shumë dinjitoz që po kalon një moment mjaft të mirë në kampionat dhe në këto takime ka treguar që mund të bëjë keq.
ENTUZIAZËM TE TEUTA — Skuadra blu ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore në kuadër të duelit ndaj “kurbinasve”, ku lajmi më i mirë vijon të jetë ana shëndetësore e ekipit.
Përveç Xhekson dhe Ivanoviç, që do të mungojë në këtë përballje për arsye dëmtimi, i gjithë grupi i lojtarëve ka qenë i plotë në dispozicion të trajnerit Martini.
Formacioni titullar do të kristalizohet ditën e sfidës, dilemat janë të shumta dhe tekniku pritet të zgjedhë 11-she në duelin përballë Laçit vetëm në momentet e fundit.
Martini në analizë ka kërkuar që lojtarët ta heqin mendjen nga renditja, por të mendojnë vetëm për Laçin. Sipas tij, vetëm pasi të fitojnë ndeshjet një e nga një, do të flitet për titullin. Titullar me shumë mundësi nis Qaqi, i cili ka arritur formën këtë javë, por që mungoi në sfidën me krutanët.
Teuta e Martinit nga katër ndeshje dy i ka në transfertë, duke futur dhe kupën dhe një me Partizanin në shtëpi.
SKEMA — Teuta do të luajë me 4- 2-3-1, skemën që një sezon më parë fiton tre trofe, pasi është më e përshtatshmja për ekipin blu. Në këtë konkluzion ka arritur Edi Martini.
Sipas tij, blutë kanë stilin e tyre të lojës që i ka sjellë deri këtu, por me skemë tjetër nuk mund të luajnë. Mbrojtja me katër Qaqi, Ivanoviç (Kotobelli) Idrizaj dhe Todorovski nga krahët.
Para mbrojtjes Aleksi Daja, Akua, L.Vila, E.Vila dhe në maj Hebaj ka pritet të japin rezultate në këtë takim.