Skënderbeu i ri do të jetë pretendent. Ky është premtimi që kanë bërë në Korçë dhe starti i këtij kamponati ka treguar se Julian Ahamataj ka ndërtuar një skuadër mjaft interesante. Korçarët e kanë nisur edicionin me një barazim 1-1 në Durrës ndaj Teutës, skuadër e cila ka pretendime për titullin kampion.
Korçarët vuajtën në fillimin e ndeshjes duke pësuar edhe një gol mëse të evitueshëm pas një goditje nga këndi. Por më pas, përfituan nga fakti se vendasit nuk mbyllën ndeshjen, duke u ndeshur me Dajsinanin e pakalueshëm dhe përfituan nga gabimi në prapavijën e skuadrës vendase.
Një dalje e pastudiuar e Frashërit, i cili goditi me shkelm Vilën në kokë në vend të topit, i dha Meksit një asist të cilin ai e shfrytëzoi më së miri duke shënuar me një goditje nga rreth 35 metra.
Goli i dha qetësinë korçarëve të cilët më pas e kishin më të thjeshtë të përballonin valën e sulmeve durrsake. Dajsinani u tregua i pakalueshëm në minutat e mbetura dhe në fund, Skënderbeu shpërdoroi një mundësi të artë për të shënuar në kundërsulm, me Frashërin i cili këtë radhë u bë hero i skuadrës së tij se evitoi një gol të sigurt.
Një barazim 1-1 që kënaq Skënderbeun por jo Teutën, e cila sheh veten duke lëshuar pikë që në sfidën e parë në një sezon ku çdo gjë tjetër veç titullit mund të cilësohet dyshim./vipsport/
TEUTA-SKENDERBEU 1-1
10′ Hebaj / 33′ Meksi