Edi Martini u largua dje nga drejtimi i skuadrës së Teutës. Trajneri shkodran i dha fund aventurës thuajse 2-vjeçare në krye të “Djemve të Detit”. Tashmë një emër tjetër ka dalë në skenë për të drejtuar kampionët e Shqipërisë.
Burime për Newsport.al bëjnë me dije se momentalisht ekipi do t’i besohet Renato Arapit. Aktualisht ai është si drejtor sportiv, por në kushte emergjence ish-qendërmbrojtësi duket si i duhuri për të drejtuar durrsakët. E njeh mirë ambientin brenda skuadre si dhe ka një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë futbollistët.
Edhe pse në shtypin e shkuar është përfolur për Armando Cungun si pasardhësin e Martinit, një hipotezë e tillë bie poshtë.
Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë në klubin e Teutës, teksa humbja e djeshme kundër Partizanit 2-1 në transfertë ka trazuar ndjeshëm ambientin durrsak. Aktualisht “Djemtë e Detit” renditen në vendin e katërt me 13 pikë, në pritje të rezultateve të ndeshjeve të sotme./newsport/