Teuta është kthyer pas shumë vitesh të festojë një trofe në futbollin shqiptar, por jo për të gjithë ky ka qenë një lajm i gëzuar. Ata që e kanë vuajtur ndoshta më shumë se Tirana finaliste humbëse, kanë qenë protagonistët e skuadrës së Skënderbeut, të cilët panë t’u ikte nga duart mundësia për të shlyer një tjetër vit nga dënimi i UEFA-s.

Skënderbeu mbylli kampionatin në vendin e katërt në Kategorinë Superiore dhe nëse Tirana do të triumfonte pas kampioantit edhe në Kupën e Shqipërisë, atëherë ekipi korçar do të ishte skuadra që do të regjistrohej si fitues i të drejtës sportive për të marrë pjesë në Ligën e Europës.

Në pritje të vendimit të Gjykatës Federale, në këtë mënyrë korçarët do të shlyernin një tjetër vit nga dënimi me 10 pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare që u ka caktuar UEFA dhe u ka lënë në fuqi KAS i Lozanës. Një vit më pak vuajtje nëse konfirmohet dënimi edhe nga Gjykata Federale në Zvicër.

Por me suksesin e Teutës, kjo e fundit siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës si fituese e Kupës, ndërsa Kukësi e Laçi nëpërmjet kampionatit. Kësisoj, vendi i katërt i Skënderbeut bëhet i pavlefshëm sa i përket pjesëmarrjeve europiane e korcarët nuk mund ta shfrytëzojnë për të ulur me një tjetër vit atë që është dënimi më i rëndë i dhënë ndonjëherë nga UEFA. /vipsport/