Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po e kthen sezonin 2025-26 në një demonstrim force në shtëpi, duke e shndërruar stadiumin “Loro Boriçi” në një fortesë të vërtetë ku kuqeblutë rrallëherë gabojnë. Në një kampionat të luftuar, skuadra shkodrane ka ditur të bëjë diferencën pikërisht para tifozëve të saj, aty ku entuziazmi dhe presioni i tribunave janë kthyer në armën më të fortë të ekipit.
Bilanci flet qartë: 34 nga 48 pikët totale të grumbulluara në kampionat kanë ardhur në shtëpi. Një ecuri thuajse perfekte që shoqërohet edhe me shifra mbresëlënëse në repartin ofensiv. Plot 22 gola të shënuar në “Loro Boriçi”, më shumë se çdo skuadër tjetër në ndeshjet si pritëse, dëshmojnë forcën sulmuese të kuqebluve përpara publikut të tyre.
Edhe në mbrojtje, Vllaznia ka treguar stabilitet, duke pësuar vetëm 7 gola në shtëpi. Vetëm Elbasani ka bërë pak më mirë si pritëse, me 6 gola të pësuar, çka tregon se skuadra e drejtuar nga Martini ka gjetur balancën e duhur mes sulmit dhe mbrojtjes në Shkodër. Një kombinim që e ka bërë thuajse të pamundur marrjen e pikëve për kundërshtarët.
Konfirmimi i radhës erdhi pikërisht ndaj Elbasanit, në një sfidë ku mbështetja e tifozëve bëri sërish diferencën. Me publikun në krah, Vllaznia di të rrisë ritmin, të imponojë lojën dhe të administrojë avantazhin, duke mos lënë hapësira për surpriza në fushën e saj.
Në fakt, këtë edicion ka pasur vetëm dy ndalesa në Shkodër: humbja 0-1 ndaj Teutës në javën e 13-të dhe barazimi 1-1 kundër Bylisit në raundin e 16-të. Katër pikë të lëna në shtëpi janë një bilanc minimal për kuqeblutë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrave nuk kanë mundur të “shijojnë” pikë në Shkodër, aty ku Vllaznia ka ndërtuar themelet e sezonit të saj ambicioz.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


