Tifozëria shkodrane në Irlandën e Veriut, por edhe në Angli, ka nisur përgatitjet për të mbështetur Vllazninë në ndeshjen e parë që do të luhet të enjtën e ardhshme në Belfast. Një grup tifozësh, që prej hedhjes së shortit kur u mësua kundërshtari i turit të parë të UEFA Conference League, kanë marrë masat e tyre dhe po bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ndeshje.
Për të ndjekur live skuadrën e zemrës së tyre, duket se do të ketë një interesim maksimal nga tifozët kuqeblu. Tifozë të ndryshëm që jetojnë në Irlandën e Veriut, por jo vetëm, kanë njoftuar praninë e tyre në stadium prej ditësh dhe gjasat janë që për ta ndjekur live këtë ndeshje, në mbështetje të Vllaznisë do të jenë shumë fansa kuqeblu.
Megjithatë, ajo që spikat më tepër është edhe organizimi që po bëhet në Angli, teksa Nderim Grabolli dhe vëllezërit Enkeleid dhe Taulant Omi, por jo vetëm, po mundohen të jenë aktiv në thirrjet e tyre në grupime të ndryshme në Facebook. Organizimi i tyre u pa qartë edhe në ndeshjen që Vllaznia e futbollit të femrave luajti me Çelsin në kuadrin e Champions League për fazën e grupeve.
Megjithatë, interesim për të ndjekur Vllazninë në sfidën e parë të transfertës së Belfastit, nuk ka pasur vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga shumë tifozë të tjerë kuqeblu që do të udhëtojnë nga Europa. Me pak fjalë, në mbrëmjën e së enjtes në Belfast, tifozëria shkodrane pritet të jetë e shumtë në numër, teksa presin që edhe skuadra kuqeblu t’ua shpërblejë me një lojë dhe një rezultat pozitiv. /Maringlen ZHIVANI/
“Ju Lutem Shperdajeni!
Njoftim: Ftojmë të gjithë Vllaznit Kuq e Blu Në Mbretërin e Bashkuar që kanë mundësi dhe dëshirë të vijnë, Të enjten, data 13 korrik, ne Oren 15:00 të mblidhemi në Bar Ryan’s Bar & Belfast
116-118 Lisburn Rd, Belfast BT9 6AH, United Kingdom
Dhe së Bashku ta përcjellim ndeshjen e parë të UEFA Conference League kundër Linfield! Vllaznit në përkrahje të luanëve tanë . Për fitore. Për Vllazninë. Ju mirëpresim!”