Duke filluar që nga 10-ditëshi i fundit i janarit, ekuacionit shkodran të trajnerit gjerman i është shtuar edhe një element tjetër, pasi atij i është bashkuar edhe i biri, Tim Brdariç. Në fakt, 20-vjeçari, i cili, ndryshe nga babai që luante si sulmues, ka zgjedhur rolin e qendërmbrojtësit, teksa me 1.95 m është 8 cm më i lartë se i ati, shihet si një futbollist i perspektivës dhe i është bashkuar skuadrës së Nën-21-vjeçarëve të Vllaznisë. Megjithatë, ai është stërvitur edhe me skuadrën e të rriturve, tek e cila ai ka parë një grup solid.
– Nga Gjermania, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sërish në Gjermani e pastaj në Shkodër… Është një rrugë goxha e gjatë, apo jo…?
– Po, në këto vitet e fundit unë kam përjetuar kultura të ndryshme, por duhet ta them që kjo e këtushmja është më mikpritësja dhe më e ngrohta. Që nga koha që kam ardhur këtu, kam takuar njerëz që janë më miqësorë, që përkujdesen dhe mendoj që kjo është diçka mjaft e veçantë.
– Si e shikon ti skuadrën e Vllaznisë, që nga koha kur ke ardhur?
– Personalisht, mendoj që është një skuadër mjaft konkurruese, sidomos këtë sezon dhe unë mendoj që ajo që është ndërtuar këtu është diçka e veçantë, që nuk kishte ndodhur këto vitet e fundit dhe është gjë e mirë kur vëren se skuadra nuk kërkon të shikojë larg në të ardhmen, por ajo punon ditë pas dite.
Dhe besoj se ky është çelësi i suksesit, i asaj që po ndodh për momentin dhe suksesi nuk bie nga qielli, por është një punë e përditshme. Mendoj se kjo skuadër ka mjaft potencial dhe ky potencial u vu në punë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë.
– Një potencial që u vu në punë nga babai yt, sidoqoftë… A jeni krenar për këtë, a të kushtëzon kjo në punën tënde?
– Sigurisht suksesi nuk vjen nga zeroja, madje këtu vjen nga më poshtë se aq, sepse disa prej kushteve mund të mos jenë aq të mira sa diku tjetër. Mendoj se im atë ka bërë një punë të madhe, por kjo nuk mund të mjaftojë, sidomos këtu, ku njerëzit kanë pritshmëri të mëdha dhe mendoj që për t’i përmbushur këto pritshmëri, duhet të japësh më tepër se 100 %.
– A është e vështirë të jesh i biri i Tomas Brdariçit… në përgjithësi por edhe këtu në Shkodër?
– Në përgjithësi, njerëzit bëjnë krahasime, krahasohemi shpesh. Por unë jam Tim Brdariç dhe ne të dy kemi të njëjtin mbiemër, por kemi emra të ndryshëm. Sigurisht që gjithmonë e kam parë si shembull, sepse ai është im atë dhe unë e di që ai ka arritur shumë gjëra në jetë dhe ka shumë përvojë dhe gjithmonë mund të mësoj prej tij në çdo rrethanë.
– Ai është babai yt, por a është ai një trajner i mirë apo i keq ndaj teje në stërvitje?
– Mendoj se ai më njeh shumë mirë, sepse unë jam i biri, por ai më trajton si çdo lojtar tjetër, kështu që edhe unë e shoh atë si trajner dhe jo si baba në stërvitje, kështu që…