Tirana fiton me përmbysje 2-1 përballë Egnatias në “Elbasan Arena” dhe shkëputet e vetme në krye të renditjes, duke çuar në 5 pikë diferencën me rivalët e Partizanit, që u ndalën në Laç në ndeshjen respektive. Heroi i sfidës ka qenë Kristal Abazaj, që ka shënuar 2 golat e parë me fanellën bardheblu, duke i dhënë skuadrës së tij tre pikë të çmuara në luftën për titullin kampion.

Ka qenë një ndeshje shumë e bukur ajo e luajtur në Elbasan. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar një futboll të hapur dhe burrëror, duke krijuar raste të shumta për shënim në portat respektive. Miqtë kalojnë të parët në avantazh me Kasën, por bardheblutë barazojnë me Abazajn në pjesën e parë, ndërsa në të dytë është sërish sulmuesi ai që shënon golin e fitores.

Tirana vuan në minutat e fundit, por arrin që të menaxhojë avantazhin deri në fund. Tirana ngjitet në kuotën e 53 pikëve dhe hedh një hap të madh drejt titullit kampion, ndërsa Egnatia mbetet në vendin e tretë, në kuotën e 42 pikëve.


TIRANA-EGNATIA 2-1

37′, 57′ Abazaj / 22′ Kasa