Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, mendon se diferenca e vetme e skuadrës së tij me Tiranën që po ecën drejt titullit, është Taulant Seferi. Në fjalët e tij për “Gol pas Goli”, ai theksoi se ekipi i tij nuk kishte diferenca me bardheblutë.
“E kam thënë që në momentin që jam larguar që po të vazhdonte skuadra me ritmin e Europës, patjetër do të ishte pretendente kryesore për titullin kampion. Laçi me Tiranën nuk ka diferenca, Tirana ka më shumë vetëm Seferin. Skuadra jonë është shumë më shumë me kualitet sa i përket pjesës tjetër.
Po luanim ndaj një skuadre e cila me meritë po shpallet kampion, ishte më e qetë psikologjikisht. Ne na duhej fitorja patjetër, në këtë aspekt 1-0 është shumë mirë, na duheshin pikët, nuk mund të jemi të qetë gjithmonë, duhet të vuajmë deri në fund, por e rëndësishme është që fituam.
Unë këtë skuadër e njoh shumë mirë, me detaje, kanë ardhur disa lojtarë që nuk ishin, jashtëzakonisht cilësore, si Adeleke. Ai ka pasur probleme në stërvitshmëri, po kthehet. Është Ujka, një superlojtar që ka forcuar organikën, është skuadër e plotë në të gjithë repartet. Nëse nuk prishet përsëri kjo skuadër, do të bëjë shumë mirë në Europë por edhe kampionatin që vjen.
Sigurisht që ishte primare dhe më gëzon se Tirana nuk duhej të festonte sot ndaj një rivali që duhej të ishte shumë më afër me pikë si Laçi. Kjo është kryesorja. Ajo që dua të them është që kam një vit e gjysmë këtu, por edhe për sot duhet të përshëndes tifozët se është ndeshja e parë që e shoh me optimizëm në një ambient të tillë.
Duke pasur parasysh që Tirana luan me mesfushor mbrojtës, mendova që Guindo të luante pas Adeleke se kisha besim që do të rrezikonin dhe ashtu erdhi goli. Luajta pak a shumë me dy sulmues qendre dhe Adeleke është më i rrezikshëm aty në qendër”, tha Duro.