Për të konsideruar rëndësinë e fitores në një Klasike nuk duhen shumë shpjegime, por duke lexur edhe renditjen ajo mes Vllaznisë e Tiranës bëhet një ndeshje për të mos u humbur absolutisht. Bardheblutë shkojnë në Loro Boriçi me 5 pikë avantazh në krye të renditjes dhe Shehi nuk ka ndërmend t’i lejojë hapësira shprese Partizanit, që për më tepër luan i fundit dhe në shtëpi kundër Bylis në zonën e rënies nga kategoria.

Kështu, tekniku dëshiron të dalë me fitore nga Shkodra për të vendosur duart mbi titullin e dytë radhazi dhe do ta provojë, duke u imponuar me një tridhëmbësh ofensiv, që tregon se kryeqytetasit kërkojnë të kenë kontrollin e lojës edhe në fushën e kuqebluve në kërkim të pikëve për Europën.

Me Bekajn mes shtyllave e Behiratche, të rikthyer në krah të Najdovskit përkundër urdhëresës së klubit, Tosevski e Përgjoni kompletojnë repartin. Në mesin e fushës vetëm Deliu e Hila luajnë për një vend, sepse Lushkja e Aleksi janë të sigurtë se do ta nisin ndeshjen nga fillimi.

Përpara, tekniku do të ripropozojë Hasanin si qendërsulmues, me Abazajn, të fortë nga dygolëshi me Egnatian në të majtë e Haxhiun në të djathtë. Alternativë është edhe Gjumsi, por anësori jep më shumë garanci në mbulim, karakteristikë që mund të jetë e vlefshme në transfertën në Shkodër.

Zgjedhje praktikisht të bëra për Shehin, që shpreson të vazhdojë serinë prej 3 fitoresh radhazi në kampionat ku është i pamundur prej 6 javësh. Problem janë precedentët, asnjë fitore në tre përballjet e kampionatit, me një barazim e dy humbje, me suksesin e vetëm të marrë në Superkupë…