Vllaznia do presë ditën e shtunë në orën 16:45 ekipin e Tiranes. Klasikja e Shqipërisë rikthehet në Shkodër për tu luajtur për objektiva madhorë. Bardheblutë vijnë pas një periudhe ku kanë fituar 3 ndeshje rradhazi dhe tashmë ndodhen në krye të renditjes së Superligës me 14 pikë në 6 javët e para.
25 herë kampionët e vendit po përgatiten për transfertën shkodrane ku duket se do ketë ndryshime në formacionin titullar, kjo ndikuar edhe nga pezullimet që kanë disa nga titullarët bardheblu.
Kështu Filip Najdovski i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit kundër Partizanit nuk do jetë i gatshëm për këtë sfidë.
Në vendin e futbollistit nga Maqedonia e Veriut pritet të aktivizohet Hoti, mesfushori i ardhur nga Kosova. Po ashtu në vijën e sulmit pritet të jetë titullar Redon Xhixha. Ish-sulmuesi i Laçit do i bashkohet Seferit dhe Ngo’o për të formuar tredhëmbëshin sulmues tek Tirana.
Klasika e futbollit tonë pritet të japë emocione të shumta edhe këtë rradhë. Vllaznia kërkon reagimin para tifozëve të saj si edhe ti shkaktojë humbjen e parë në kampionat rivalëve të përjetshëm.
E nga ana tjetër Tirana që do të vijojë me ecurinë e mirë të javëve të fundit ku tashmë kryeson e vetme në krye të renditjes.
Endri ÇINARI