Tirana- Vllaznia është ndeshja më e rëndësishme e javës së 17-të të “Abissnet Superiore” dhe si rrjedhojë kuptohet që e gjithë vëmendja e opinionit sportiv do të jetë e përqendruar aty, tek “klasikja” e futbollit shqiptar.
Por ndërkohë, ndonëse tifozëritë e të dy ekipeve kanë patur dëshirë që kjo ndeshje të luhej në një stadium si “Air Albania”, në fakt klubi bardheblu e ka zgjedhur ta luajë në “Selman Stërmasi”.
Për këtë arsye, takimi sipas Sektorit të Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është caktuar të luhet ditën e dielë në orën 13.30 në këtë stadium, duke mos realizuar dëshirat e dy tifozërive. Edhe vetë klubi Vllaznia e ka publikuar sot në faqen e tij promon e kësaj ndeshje me këtë destinacion.
Duket se edhe pas ngjarjeve të fundit në derbin me Partizanin, ku klubi i Tiranës mori një ndëshkim të rëndë financiar nga Federata, ai nuk ka dëshirë më që t’i luajë ndeshjet në stadiumin kombëtar dhe prandaj ka zgjedhur “Selman Stërmasin për ndeshjen e rradhës ndaj Vllaznisë.
Megjithatë, gazeta “Shkodra Sport” mëson se ditën e nesërme do të mësohet përfundimisht nëse do të ketë ndonjë ndryshim të stadiumit apo jo.