Trajneri i Barcelonës, Çavi Hernandez, ka parë skuadrën e tij të bëjë një paraqitje të dobët në mesjavë kundër Vajekanos ku u mund 2-1. Pas asaj humbje dhe një loje aspak për nivelin e Barcelonës, Çavi ka kërkuar që kundër Betisit sonte në mbrëmje, ekipi të luajë më mirë dhe mbi të gjitha të fitojë për t’u afruar edhe më shumë me titullin.
BETISI – “Betisi është një skuadër e madhe, ata e dinë se për çfarë po luajnë. Kundër Vajekanos bëmë një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit. Ndaj Betisit pres një reagim në lojë dhe rezultat”.
LA LIGA – “Nëse do të flisja për sezonin e kaluar më duhet ta pranoj se kampionati ishte një torturë. Këtë vit është krejt ndryshe dhe unë jam i lumtur me atë çfarë po bëjmë. Po garojmë mjaft mirë. Nëse në fillim të sezonit do të më thoshin se do të ishim në krye dhe fare pranë titullit do ta kisha firmosur me të dyja duart. Unë dhe skuadra po argëtohemi në këtë sezon”.
ULJA E RENDIMENTIT – “Nëse i marrim ndeshjet një për një mund të diskutojmë gjatë. Nëse i marrim në tërësi, do të thoja se në 20 ndeshjet e fundit kemi luajtur mirë. Nëse marrim vetëm katër ndeshjet e fundit është e qartë se kemi pasur një rënie. Kundër Getafes dhe Vajekanos kemi luajtur keq. Ndaj, kundër Betisit do të jetë ndeshja e duhur për të reaguar”.
MESI – “Shikoni, takimi që klubi ka pasur me drejtuesit në La Liga nuk ka të bëjë vetëm me Mesin, por dhe me disa lojtarë të tjerë që janë në pritje të regjistrimit për sezonin e ardhshëm. Ne duam të përmirësojmë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Por për momentin jemi në mes të rrugës, në kuptimin që nuk e kemi fituar ende titullin”.
TITULLI – “E kemi të qartë se titulli është në dorën tonë. Sikurse e kemi të qartë se ende nuk e kemi fituar. Rëndësi ka që ndaj Betisit të bëjmë një hap më shumë drejt titullit”.