Një tjetër futbollist shkodran po shkëlqen jashtë Shkodrës, e madje jashtë kufinjëve të shtetit tonë. Bëhet fjalë për Kevin Haveri, i cili këtë sezon po aktivizohet në Itali tek ekipi i Riminit. Djaloshi nga Shkodra ka shkëlqyer në ndeshjen e fundit duke qenë edhe më i miri i takimit.
Rimini fitoi në shifrat 1-0 kundër Real Forte Querceta. Ai që ra në sy me performancën e tij ishte mbrojtësi, Kevin Haveri. Ai u votua nga tifozët bardhekuq si më i miri i ndeshjes. Një vlerësim ky për performancën e 20-vjeçarit që në Shkodër është aktivizuar tek Akademia Ajaks.
Haveri ndodhet në sezonin e tij të tretë në Itali ku dalëngadalë po hedh hapat drejt futbollit të madh italian. I vlerësuar shumë për fizikun, por edhe teknikën e tij, mëngjërashi i ka bërë të gjithë për vete. Haveri shpesh ka qenë edhe pjesë e grumbullimeve të kombëtareve tona të moshave, ndërsa tani po përgatitet për hapin e madh.
Ekipi i tij Rimini për momentin ndodhet në vendin e parë të renditjes në Serie D. Bardhekuqtë kanë grumbulluar 19 pikë në 7 ndeshjet e para të sezonit dhe janë ndër pretendentët për të ngjitur kategori sezonin që vjen.
Endri ÇINARI