Fati i Sandro Tonali do të vendoset këtë javë. Mesfushori italian, bëhet gati që të mësojë edhe ai kohëzgjatjen e dënimit që pritet nga autoritetet sportive italiane për thyerjen e rregullave duke vënë bast mbi aktivitetet sportive. Dhe duket se lojtari ka ngut për të mësuar afatet sa më parë që të jetë e mundur.

Ashtu si në rastin e Faxholit, palët janë dakord që të gjendet gjuha e përbashkët dhe dënimi të jetë me marrëveshje, duke përfituar ulje të ndjeshme. Që ditën e hënë, avokatët e ish-mesfushorit të Milanit, do të jenë në Romë për të diskutuar modalitetet e paktit që do të përgjysmojë menjëherë dënimin potencial.

Pastaj ky pakt do të çohet për t’u miratuar përfundimisht para prokurorit të përgjithshëm për sportin në Komitetin Olimpik dhe Gjykatësit Federal në FIGC. Dënimi në fjalë do të jepet ashtu si për Faxholin, me tendencën për të shpëtuar një lojtar i cili vlerësohet se vuan nga ludopatia, varësia ndaj kumarit.

Të gjitha palët duan ta mbyllin sa më shpejt, duke pasur parasysh e Njukasëll luan këtë mesjavë ndaj Borusia Dortmund në Ligën e Kampioneve dhe klubi anglez nuk do të dëshironte të kishte surpriza për duelin në fjalë, Dënimi i Tonali do të jetë i vlefshëm kudo, që do të thotë se pezullimi i tij në Itali njohët nga UEFA dhe FIFA edhe në kampionatin ku ai gjendet tashmë, atë anglez.