Së shpejti do të votohet. Futbollistët presin të vlerësohen me çmimet “Best FIFA”, por sidomos “Topi i Artë”. Për këtë të fundit, ceremonia e vitit të kaluar u anulua për shkak të pandemisë. Levandovski arriti të rrëmbente vetëm “Best FIFA”, por nuk kishte dyshime që meritonte patjetër edhe “Topin e Artë”.
Sivjet situata ka ndryshuar dhe kandidatë të padiskutueshëm nuk ka. Përveç më mediatikut Mesi, në garë është Zhorzhinjo që u shpall fitues i Champions-it me Çelsin, por rrëmbeu si protagonist edhe Europianin me Italinë.
PA “PRONAR” – Nëse Zhorzhinjo është një emër që vjen natyrshëm në mendje, italo-braziliani nuk është shumë “i dashur” sepse për “Topin e Artë” ka edhe kritere të tjera. Krahas Van Bastenit dhe Platinisë ndodh të gjesh edhe Matias Zamerin, por gjermani ishte kampion i freskët Europe dhe simbol i Gjermanisë.
Për më tepër, mundi me vetëm një pikë më shumë Ronaldon. Gjatë 2021-shit askush nuk ka dominuar deri në atë pikë sa të mos diskutohet. “Best FIFA” do të vendoset gjatë këtij muaji, ndërsa çmimi do të jepet në shtator. Kohë nuk ka, por as pronarë të parakohshëm, ndaj Mesi, Zhorzhinjo, Donaruma, por edhe ndonjë tjetër mund të shpresojnë ende. Portieri, në fakt, është lehtësisht i penalizuar duke qenë se sezoni i tij me Milanin nuk shkoi përtej një vendi të katërt në kampionatin e Serisë A.
LIGA E KOMBEVE – Për “Topin e Artë” ka kohë dhe mund të ndikojnë shumë aspekte. Njëri do të ketë patjetër lidhje me kualifikueset në “Katar 2022”, por sidomos me Ligën e Kombeve që do të zhvillojë aktin e fundit në tetor. Italia, Franca, Belgjika dhe Spanja janë finalistet, ndaj një tjetër trofe mund të rriste ndjeshëm kuotat e Donarumës dhe Zhorzhinjos.
Ndërkohë që Mesi do të shikonte shfaqjen si personazh i interesuar, Lukaku do të kishte shansin e tij të artë. Një fitore e Belgjikës në Ligën e Kombeve, e kombinuar me titullin e fituar me Interin, mund të dhuronin një surprizë të vërtetë në fituesin e “Topit të Artë”.
Për të njëjtat arsye nuk ka pse të mos shpresojë edhe Kevin de Bryjne, finalist në Champions dhe fitues i kampionatit anglez me Mançester Sitin. Kushte të ngjashme këto të belgut me ato të Kantesë, i cili pas Ligës së Kampioneve dhe një sezoni të shkëlqyer në Angli, mund të bëhej kandidat i fortë nëse ia del që me Francën të ngadhënjejë në Ligën e Kombeve.
Lista është e gjatë dhe ka emra si Mbape dhe Levandovski, por ata sivjet kanë pak mundësi suksesi, siç kanë Kielini dhe Bonuçi që janë në listë, por vështirë t’u jepet një çmim.