Zhoze Murinjo e ka pasur rival të shumë betejave, në shumicën e të cilave ka dalë i mposhtur, por gjithsesi, për ishtrajnerin e Realit të Madridit ka ardhur koha që të lërë mënjanë rivalitetin e kohëve të shkuara, edhe pse në janar u mendua seriozisht një rikthim i tij te “galaktikët”, dhe t’i përulet Lionel Mesit, pas paraqitjes që ai bëri kundër Liverpulit.
“Disa javë më parë, në këtë televizion, kam thënë se Lionel Mesi nuk do të ishte kurrë ‘Special One’ im, sepse atë që ai ofron në fushë, çdo ndeshje, ka shumë vite që e bën dhe për mua nuk është më një surprizë.
Por fakti që ai të ofron ndeshje dhe paraqitje si ajo me Liverpulin, tani më duhet të bëj një hap prapa dhe të them se Lionel Mesi është ‘Special One’ im, por jo vetëm kaq, – shprehet Murinjo për televizionin rus ku punon aktualisht, që pyetjes së gazetarit përballë nëse Leo është një mbret i futbollit, e bën portugezin të shtojë dozën e elozheve.
“Mesi është mbret, po, ndoshta edhe Zoti i futbollit duke parë mënyrën sesi luan, qetësinë që ofron në çdo gjë që bën në fushë dhe se sa të lehta i bën që të duken gjërat. Po, Mesi është Zoti i futbollit aktualisht dhe me Liverpulin ishte thjesht i pabesueshëm”.
Ndërkohë, në lidhje me festimin e çmendur nga ana e Luis Suarezit pas golit të shënuar kundër Liverpulit, Murinjo e shpjegon me një batutë: “Ndoshta, në ato 90 minuta, Luis Suarezi do të ketë humbur kujtesën lidhur me të shkuarën e tij. Ndonëse nuk besoj se ka pasur diçka të keqe në festimin e tij”./panorama-sport/