Tomas Brdariç ka ardhur me ide të qarta në Shkodër. Dëshiron që të shkojë larg, e megjithatë tregohet i kujdesshëm kur bëhet fjalë për premtime. E di që tifozët duan titullin e munguar prej 20 vitesh, por u kërkon që të jenë të duruar.

Gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Sport Arena” në TV “Rozafa”, trajneri gjerman rrëfen me detaje karrierën e tij dhe aventurën e nisur dy muaj më parë te Vllaznia. Është i zhgënjyer nga shtyrja e vazhdueshme e kampionatit, por mendon se kuqeblutë janë gati për të zbritur në fushë.

Si ndiheni në këta dy muaj qëndrimi në Shkodër?

Pavarësisht se kam një lloj zhgënjimi se nuk ka nisur ende sezoni, mund të them se gjatë këtyre dy muajve jam ndier shumë mirë.

Ishte e vështirë që të shkonit drejt akordit dhe a u menduat gjatë?

Duhet të jesh mendjehapur për një eksperiencë të tillë dhe ne që jetojmë në Gjermani jemi. Pasi e mendova gjerë e gjatë, isha i bindur për ta pranuar këtë sfidë. Edhe pse presidentët duan përgjigje të menjëhershme, nuk mund të thuash “po” pa i menduar gjërat mirë.


Keni qenë shumë afër vendit tonë, para se të vinit këtu. E dinit cila është Shqipëria kur ishit në Maqedoninë e Veriut?

Pata lidhje me shqiptarët kur punova në Tetovë dhe përshtypjet që më kanë mbetur janë nga më të mirat.


Mbiemri juaj na çon në Kroaci dhe jo Gjermani. Ku keni lindur?

Unë kam lindur në Gjermani, ndërsa prindërit e mi në Kroaci dhe atje kanë jetuar. Pra, kam edhe një “dell” kroat.

Në Shkodër i duan sportistët dhe trajnerët që vijnë nga Gjermania. A ju vendos nën presion ky fakt?

Unë ndihem shumë krenar që jam trajner i një skuadre si Vllaznia dhe jam në dijeni të detyrës së madhe që kam marrë përsipër. Natyrisht që jam ai që ka edhe përgjegjësinë kryesore në rezultatet që do të kemi. Duke qenë trajner, unë jam një person i mësuar me presionin. Unë ndihem edhe i privilegjuar që jam në këtë situatë, ku me dhe pa respekt trajneri është nën presionin e rezultateve që kërkohet.