Nuk donin që të gjykoheshin në këtë përballje nga Kridnes Meta, ndaj e kanë treguar qartazi mosdakordësinë me federatën për këtë arbitër. Madje, tekniku i kuqebluve, vlonjati Agim Canaj, i ka ofenduar përfaqësuesit e federatës para fillimit të kësaj ndeshjeje. Në shenjë proteste ndaj vendimit për ta arbitruar Meta këtë përballje, klubi shkodran ka protestuar duke e nxjerrë ekipin me dhjetë minuta në fushën e blertë. Ndërkohë, në prononcimin e pas ndeshjes, Canaj është shprehur se ishte arbitri që ndikoi në humbjen e shkodranëve, pasi përzgjedhja e Metës ka ndikuar psikologjikisht te skuadra e tij.

Sipas tij, për mënyrën se si shkoi loja, ishte e vështirë për Vllazninë që të reagonte, pasi u gjendën shpejt në disavantazh, i cili u thellua shumë që në pjesën e parë. “Në futboll ndodh gjithçka. Ndodh dhe të humbësh edhe me këtë rezultat. Ishim nën presionin e gjyqtarëve, pasi e shoh krejtësisht të paarsyeshme që të vendoset për këtë ndeshje një arbitër për të cilin ne si klub kemi kërkuar që të mos na arbitrojë. Në pjesën e parë të lojës kundërshtari ka marrë tetë faulle në afërsi të zonës, dy prej të cilëve i shndërroi në gol, sigurisht për meritë të tyre. Skuadra nuk reagoi dot, çka u pa qartë. Pasi rezultati shkoi nga 2-0 në 3-0 pothuajse gjithçka përfundoi. Gjithashtu arbitri lejoi lojën e rëndë që nuk i shkon përshtat ekipit tonë dhe nuk e përballuam dot. Pra, ishim nën presion psikologjik që në fillim të ndeshjes”, – ka pohuar tekniku Canaj, i cili u është shmangur pyetjeve të tjera të gazetarëve, duke u larguar i revoltuar. Kujtojmë se në dy javët e shkuara Canaj ishte i pezulluar nga disiplina.