Në kampin shkodran nuk ka qetësi. Trajneri Shpëtim Duro është parë tejet i nervozuar gjatë stërvitjes së të mërkurës, teksa për 20 minuta ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli në mes ekipit të parë që mendohet të luajë në Kukës dhe ekipit të rezervave. Pikërisht në një moment të kësaj minindeshjeje, formacioni i dytë ka shënuar gol teksa mbrojtësit titullarë kanë gabuar sërish në vendosje. Kaq ka mjaftuar që njeriu i pankinës shkodrane “të shpëthejë”.
Ai nuk i ka kursyer kritikat ndaj Beqirit dhe Osmanit mbi të cilët ka patur jo pak fjalë edhe pas ndeshjes së humbur me Skënderbeun, pikërisht për gabimet e vërejtura në këtë repart. Për Duron është e pakuptueshme sesi dy mbrojtës me kaq përvojë si ato, të gabojnë në vendosje. Megjithatë këtë herë lojtarët nuk kanë qëndruar pasiv. Nga goja e tyre ka dalë edhe ndonjë fjalë si justifikim për gabimet e tyre. Nga sa merret vesh, si Beqiri ashtu dhe Osmani janë ankuar tek trajneri për vendosjen jo të mirë të mesfushorëve dhe për rrjedhojë në mes dy reparteve ka shumë distancë loje, çka çon pastaj edhe në gabime të mbrojtjësve.Në ndeshjen e parë në fakt si Nallbani ashtu edhe Deliç ishin inferiorë ndaj kundërshtarëve të tyre që luanin në të njëjtat pozicione si në metrat që vraponin ashtu edhe në topat e saktë që nisnin për shokët e tyre të skuadrës. Mesfusha e Vllaznia aktualisht nuk e luan atë rol që duhet jo vetëm për të mbështetur mbrojtjen por edhe sulmin teksa ka patur shumë pak aksione të nisura nga ky repart. Jo më kot, mbrojtësit Beqiri dhe Osmani kanë dashur të reagojnë për t’i treguar trajnerit por edhe shokëve të tjerë të skuadrës se duhet të ndryshojnë shumë gjëra në mënyrën e të luajturit. Në mënyrë që përgjegjësia e pësimit të golave të mos bjerë vetëm tek ata por mbi të gjitha të rregullohet mënyra e të luajturit dhe skuadra të arrijë një rezultat pozitiv që në ndeshjen e rradhës me Kukësin. Në fakt dy lojtarët kanë patur të drejtë të ankohen. Ata kanë marrë mbi shpinën e tyre gabimet e pësimeve të tre golave në ndeshjen me Skënderbeun por pësimi i të tillë golave edhe në stërvitje, sigurisht që ka vend për t’u analizuar. Trajneri e ka bërë hapin e parë. Do kryejë tre zëvendësime në formacion në mënyrë që të rrisë sadopak efektivitetin e skuadrës sidomos në lojën mbrojtëse. Belisha dhe Nallbani në qendër të mesfushës përbëjnë një dyshe që nuk pushon së vrapuari por rendimenti i saj i vërtetë do shihet në ndeshjen e rradhës. Por puna nuk është vetëm tek dy mesfushorët e qendrës. Edhe ato të krahëve duhet të jenë në sinkron me veprimet e pjesës tjetër të skuadrës në mënyrë që formacioni në fushë të jetë sa më elastik. Edhe në seancën e djeshme stërvitore, trajneri Duro është munduar sërish të punojë në aspektin taktik me skuadrën për të eliminuar këto gabime të vërejtura. Lojtarët e kanë kuptuar shqetësimin e trajnerit por nuk dihet si do ta zbatojnë në fushë atë çfarë u ka thënë ai. Vllaznia e ka nisur kampionatin me tre gola të pësuar. Sigurisht shumë për një skuadër që u mendua se do kishte mbrojtjen më të fortë të kampionatit.
Gjergj KOLA