Rëndësia e ndeshjes me Kukësin është e madhe për Vllazninë. Kuptohet jo nga niveli I kundërshtarit dhe emri I tij por më shumë nga fakti që skuadrës shkodrane I duhet të marrë patjetër një fitore këtë herë për të harruar disfatën në ndeshjen e parë të kampionatit me Skënderbeun. Këtë lloj presioni për të fituar medoemos e ndjen edhe trajneri Shpëtim Duro që megjithatë, e konsideron presionin të njëjtë edhe për kundërshtarin teksa thotë:
“Si ne ashtue dhe Kukësi nuk I kemi fituar ndeshjet epara të kampionatit dhe për rrjedhojë jemi në njëfarë presioni për të fituar këtë herë. Do jetë një sfidë delikate megjithatë objektivi jonë I vetëm është fitorja dhe do ta kërkojmë atë me ngulm”. Takimi I sotëm në Kukës do të luhet pa praninë e tifozëve kukësianë si pasojë e dënimit të kësaj fushe dhe në pamje të parë ky është favor për shkodranët. Megjithatë trajneri Duro nuk e mendon si ndonjë favor të madh këtë gjë sepse sërish skuadrës I duhet të punojë në fushë për ta fituar ndeshjen. “Të luash në një fushë kundërshtare pa tifozë natyrisht që është diçka positive për ekipin udhëtues. Në pamje të parë edhe Vllaznia është e favorizuar në këtë drejtim por kjo nuk është gjithçka sepse fitoren duhet ta arrijmë në fushën e lojës duke dominuar mbi kundërshtarin. Për këtë arsye, jam munduar t’I bindë futbollistët e mi se trepikëshi merret vetëm duke djersitur dhe duke gabuar sa më pak në fushë”- ka thënë më tutje trajneri. Siç kemi bërë të ditur gjatë ditëve të fundit, në formacionin kuqeblu mendohet që për takimin e sotëm të ketë tre ndryshime. Trajnerit Duro natyrshëm nuk I ka ardhur mirë që skema e lojës së tij dhe formacioni është “zbuluar” dhe është bërë publik ndërkohë që ai për kundërshtarin nuk ka shumë dijeni se cilët futbollistë do hedhë në fushë dhe si do luajë. Megjithatë drejtori sportiv Grima ka qenë në Kukës në ndeshjen e parë ndaj Luftëtarit dhe me siguri do t’I ketë thënë trajnerit ndonjë fjalë për kundërshtarin e sotëm. Vetë trajneri I Vllaznisë nuk e ka pohuar me gojën e tij se do t’I kryejë të tre lëvizjet e bëra publike në media megjithatë ka lënë të kuptohet se formacioni që do hedhë në fushë thuajse do jetë ai. Pra me Vujadinoviç në portë, për të vazhduar me Smajlin, Beqirin, Osmanin dhe Seminën në mbrojtje. Në mesfushë ndërkohë mendohet të luajnë Dragoi, Nallbani, Belisha dhe Shtubina ndërsa në sulm Hajdari dhe Rexha. Me këtë 11-sh, kuqeblutë do kërkojnë fitoren e parë në kampionatin e ri. Vështirësia do jetë e madhe pavarësisht se luajnë ndaj një Kukësi debutues në Superligë megjithatë është një skuadër që ka çuditur jo pak me merkaton e zhvilluar deri ditën e djeshme. Në kushte të tilla parashikohet një sfidë shumë interesante ku secili prej ekipeve do kërkojë t’I rrëmbejë fitoren kundërshtarit. Një sfidë që konsiderohet edhe si ballafaqim Cungu- Duro ngaqë të dy trajnerët I kanë ndërtuar skuadrat e tyre nga fillimi këtë verë. Nëse do kishte tifozë, natyrshëm do ishte një sfidë edhe më e bukur por edhe pa to, sërish pritet të jetë interesante.
Gjergj KOLA