Kombëtarja e vajzave ka nisur grumbullimin për dy miqësoret ndaj Turqisë, që do të luhen më 28 nëntor dhe 1 dhjetor. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, vajzat do të zbresin në fushë pasditen e sotme për të zhvilluar stërvitjen e parë, ndërsa tekniku kuqezi ka dhënë një prononcim për fshf.org.

Trajneri Grima komentoi prurjet e reja në këtë grumbullim, foli për kundërshtarin në dy miqësoret dhe theksoi rëndësinë e këtyre ndeshjeve si pjesë e përgatitjeve për kualifikueset e Botërorit “Brazil 2027”.

Risitë në listë? – Po bëjmë maksimumin për të forcuar grupin. E dimë që në mars na presin ndeshje shumë të vështira, pasi kemi edhe një grup shumë të fortë. Për të bërë më të mirën tonë dhe për të pretenduar diçka më shumë, normalisht duhet që grupi të forcohet. Kemi gjashtë vajza të reja që vijnë në këtë grumbullim. Dua të falënderoj Federatën që na ka krijuar mundësinë t’i shohim nga afër dhe të vlerësojmë sa të përshtatshme janë për t’iu bashkuar grupit që kemi.

Turqia? – Futbolli i vajzave në Turqi ka pasur një zhvillim shumë të mirë në periudhën e fundit. E dimë që është një Kombëtare e fortë, e cila është ngjitur në Ligën B. Është një ekip pothuajse i barabartë me ne dhe është një test i mirë për të parë se ku jemi realisht me gjendjen tonë.

Kualifikueset e Botërorit “Brazil 2027”? – E dimë se çfarë kundërshtarësh kemi në grup dhe çfarë mund të bëjmë. Normalisht duhet shumë punë, duhet t’i bëjmë yzmetin punës në maksimum për të marrë maksimumin tonë në këtë grup. Unë kam shumë besim te vajzat, duke ditur kualitetin dhe cilësitë që kanë. Shpresojmë që edhe vajzat që kemi afruar të bëhen pjesë e rëndësishme e skuadrës sonë. Sa më shumë zgjidhje të kemi, aq më mirë do të jetë për futbollin dhe për Kombëtaren.