Vllaznia U21 ka fituar pasditen e sotme 4-2 ndaj Dinamos në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi” në ndeshjen e fundit të këtij viti. Autorë të golave për ekipin tonë kanë qenë futbollistët Jozefin Rrasa, Klaudio Leka, Olsi Mali dhe Eraldo Deda.Me këtë trepikësh ajo është ngjitur në kuotën e 16 pikëve duke mbajtur vendin e parë në renditje dhe si rrjedhojë ka merituar edhe titullin simbolik “kampion i dimrit”.
Pas ndeshjes së sotme, trajneri Fatjon Hasani duke folur për “Shkodra Sport” është shprehur: “Një fitore e bukur kjo ndaj Dinamos, ndonëse kundërshtari na vuri paksa në vështirësi me atë gol të shënuar që në minutat e para, megjithatë treguam karakter, e kthyen rezultatin. Dinamo na barazoi sërish, por ne përsëri shënuam edhe dy gola të tjerë dhe fituam.
Sot kishim shumë probleme dëmtimesh në skuadër, sepse 5 lojtarë kishin probleme dhe për më tepër në këtë ndeshje ndaj një kundërshtari direkt siç ishte Dinamo, i cili kishte një ekip shumë të përgatitur. Megjithatë ata që luajtën bënë më të mirën e tyre dhe me këtë rast gjej rastin t’i falenderoj djemtë për atë çfarë dhanë në fushë”.
I pyetur ndërkohë se cilat ekipe konsideron si rivalë Vllaznia, trajneri Hasani është përgjigjur: “Ne bëjmë punën tonë. Mundohemi të luajmë bukur e të fitojë. Sa për kundërshtarët, të them të drejtën ende nuk i njoh të gjithë. Megjithatë po i marrim ndeshjet një e nga një dhe kuptohet që objektivi do të jetë për ta mbajtur vendin e parë, por kjo kuptohet se është shumë e vështirë, por ne do të bëjmë punën tonë deri në fund”.
Me fitoren e sotme, Vllaznia U21 e ka lënë tashmë pas 3 pikë Dinamon e vendit të dytë dhe kësisoj është shpallur “kampione dimri”. Lidhur me këtë sukses të parë, trajneri Hasani do të thoshte: “Kjo është një arritje e vogël, megjithatë shumë sinjifikative për futbollistët e mi të cilët besoj se do t’i kalojne me te lumtur festat e fundvitit”./SHKODRA-SPORT.COM/