Karlos Keiroz e ka vendosur kombëtaren e tij në një flluskë për ta mbajtur larg shpërqendrimeve të politikës përpara ndeshjes me SHBA-në.
Irani, që renditet në vend të dytë në Grupin B me 3 pikë, ka shansin për t’u kualifikuar për herë të parë në 1/8-at e Botërorit. Dhe trajneri portugez tha se nuk do të lejojë që skuadra e tij të vetëshkatërrohet, pavarësisht presioneve që vijnë nga jashtë.
Federata Iraniane u ankua në FIFA pasi homologët amerikanë i hoqën simbolin islamik flamurit të tyre në disa postime në rrjetet sociale përpara sfidës së sotme në “Al Thumama”.
“Unë duhet të jem me mendjen e qetë për të përgatitur lojtarët që të luajnë futbollin e tyre më të mirë ditën e ndeshjes. Sepse nëse mendja ime bie në kurthin e dhënies rëndësi të këtyre gjërave, atëherë do t’i shkatërrojë të gjitha.
Atëherë i bie që unë të gënjej futbollin. Unë nuk do t’ia bëj këtë babait tim dhe këtij sporti.
Këto seri ngjarjesh që po rrethojnë këtë Botëror shpresoj që të jenë një leksion i mirë për të gjithë ne për të ardhmen dhe turneun e ardhshëm dhe të mësojmë se misioni ynë këtu është të argëtojmë dhe të paktën për 90 minuta t’i bëjmë njerëzit e lumtur”, tha Keiroz.