Kualifikimi i Marokut në gjysmëfinalet e Kupës së Botës “Katar 2022” është padyshim surpriza më e bukur e historisë së botërorëve, pasi kjo është hera e parë që një ekip afrikan shkon kaq larg. Trajneri Walid Regragui, në prag të ndeshjes që do të zhvillojë nesër ndaj Francës, tha se synon më shumë.
“Ne jemi shumë ambiciozë, një ekip i uritur për fitore e trofe. Nuk e di nëse kjo që kemi bërë deri tani do të jetë e mjaftueshme, por shpresojmë që të shkojmë më tej. Ne dëshirojmë të vendosim Afrikën në majën e botës. Nuk jam i çmendur, pasi e di që kjo do të jetë shumë e vështirë”, tha Regragui.
Më tej, trajneri i Marokut, shtoi: “Jam përpjekur të ndërtoj një ekip që ka shpirt luftarak e dëshirë të madhe për fitore. Ky shpirt na ka ndihmuar deri më tani për të shkuar kaq larg në këtë botëror. Taktikisht na duhej të ishim sa më të organizuar dhe të sigurtë. Lojtarët besuan në këtë projekt. Unë kam një skuadër me lojtarë që i shërbyen shumë mirë vendit të tyre”.
Trajneri Regragui shprehet se ndaj Francës do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve: “Do të sjellim 20 mijë fansa. Ata tifozë janë të çmendur, janë fansat më të mirë në botë dhe nesër ne do t’ua prezantojmë gjithë botës. Për ne do të jetë një sfidë të luajmë ndaj kampionëve të botës, por ne luajmë për Marokun dhe shpresojmë të shkojmë në finale”./telesport/