Te Barcelona nuk ka paqe. Barazimi ndaj Alaveshit në ndeshjen e parë të Serxhi Barjuanit në krye të katalanasve ka qenë një dështim.
Dhe natyrisht që nuk i ka shërbyer për mirë situatës. Sipas televizionit katalanas “Esports3”, tekniku është ankuar për situatën e krijuar në ekip dhe për dëmtimet e shumta.
Pavarësisht ndryshimeve të bëra në ekip, Barcelona ka shfaqur të njëjtat probleme edhe përballë Alaveshit.
Ish-mbrojtësi, i cili mori të premten detyrën e trajnerit provizor ka folur për ekipin ku ka shfaqur rezerva, por kritikat më të ashpra janë drejtuar në adresë të stafit mjekësor të Barcelonës.
Komentet e Serxhit pas barazimit ndaj Alaveshit nuk i kanë pëlqyer aspak një pjese të rëndësishme të ekipit.
Serxhi Barjuan duke folur për barazimin ka përdorur një frazë të përmendur dhe nga ish-trajneri Kuman.
“Këta lojtarë kam, nuk mund të bëj më shumë. E ka thënë dhe Kumani”, ka thënë Serxhi. Kjo frazë e tij nuk është pëlqyer aspak nga lojtarët, edhe pse trajneri i Barcelonës është munduar të zbusë qëndrimin e tij, duke nënvizuar se situata e krijuar është pasojë e dëmtimeve të shumta.