Tekniku i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka vonuar jo pak që të dalë nga dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit. Humbja me Ballshin, duket se e ka shokuar jo pak teknikun, i cili mesa mësohet, atë që ka thënë para mediave ua ka shprehur edhe vetë lojtarëve pas përfundimit të takimit.
Ai mësohet se ka kritikuar jo pak lojtarët e tij, duke ai filluar që nga kapiteni Gilman Lika e duke përfunduar te lojtari i fundit.
“Duhet të kishit goditur më shumë në drejtim të portës. Nuk e di nëse ishte problem taktik apo se çfarë ju ka munguar në bashkëveprimet tuaja. Të gjithë kemi faj në këtë humbje. Kur humbim, humbim bashkë dhe kur fitojmë, fitojmë po ashtu të gjithë bashkë.
Pra, nuk ka asnjë që nuk ka faj në këtë humbje. Më thoni nëse jam unë e keqja, largohem. Nuk ka asnjë problem në këtë drejtim. Më vjen keq se ishim ne të gjithë bashkë që arritëm këto rezultate dhe kam besim se sërish të gjithë bashkë mund të shkojmë aty ku ishim”, mësohet t’u ketë thënë tekniku Jonuz, lojtarëve të tij.
Duket se ai ka qenë në sinkron edhe me atë që ka thënë para mediave pas takimit, ku ka marrë përgjegjësitë e tij në këtë humbje. “Do të bëjmë një analizë dhe do të shikoj edhe videon e takimit. Për këtë fola edhe me lojtarët. Ajo që shikohet, është se problemi nuk është fizik, por mund të jetë taktik. Kur humbim, humbim të gjithë dhe kur fitojmë është po ashtu, këtë ia kam thënë edhe lojtarëve”, është shprehur Jonuz.
STËRVITJA
Vllaznia, që dje, i është kthyer punës për takimin e radhës, atë që do të luajë të premten ndaj Tiranës në kryeqytet. Dhe tekniku Mirsad Jonuz së bashku me të tijtë do të kërkojë që ta ndryshojë qysh në këtë përballje situatën e krijuar në skuadër.
Tekniku Jonuz pret që gjatë këtyre ditëve të përgatitjes për takimin me Tiranën, të ketë të gatshëm në stërvitje edhe brazilianin Hygor. Ai dje ka qenë i gatshëm me ekipin. E përveç tij, mësohet të rikuperohet edhe maqedonasi Gligorov, ndërsa që dje është mësuar se ka pasur jo pak shqetësim qendërmbrojtësi lezhjan Renato Malota.
Ai është larguar i dëmtuar në mesin e pjesës së dytë. Gjithsesi, stafi mjekësor shpreson që ky lojtar të jetë i mundur për takimin ndaj kryeqytetasve.