Xhek Grilish ka mbërritur në Mançester për të kryer vizitat mjekësore me Sitin përpara zyrtarizimit të transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit britanik. Aston Vila pranoi ofertën e kampionëve të Anglisë prej 100 milionë paundësh për kartonin e kapitenit të saj që të premten, duke i hapur rrugën transferimit të tij në “Etihad Stadium”.

Grilish, i cili pritet të paguhet me rreth 230 mijë paund në javë nga “Qytetarët”, është stërvitur edhe ditën e mërkurë me klubin e Aston Vilës, por më pas i është drejtuar Mançesterit me një avion privat për të mbyllur përfundimisht një prej transferimeve më të bujshme të historisë së Premier Ligës. Zyrtarizimi i transferimit pritet të bëhet brenda kësaj jave.

Ky transferim do të thyejë rekordin e vendosur nga Mançester Junajtid në vitin 2016, kur e transferoi Pol Pogbanë nga Juventusi për afro 90 milionë paund. Aston Vila zyrtarizoi zëvendësuesin e yllit të saj, i cili do të jetë Leon Beili, talenti 23-vjeçar që vjen nga Leverkuseni për 30 milionë paund. Me paratë e Grilishit, “Villains” kërkojnë të transferojnë edhe sulmuesin e Çelsit, Temi Abraham, dhe qendërmbrojtësin e Mançester Junajtidit, Aksel Tuanzebe.

NË PRITJE TË KEJNIT – Tani e gjithë vëmendja e Mançester Sitit do të spostohet te transferimi i Herri Kejnit nga Totenhemi. Sulmuesi i Anglisë nuk është rikthyer ende në stërvitje me klubin, për ta detyruar presidentin Daniel Levi që ta shesë.

28-vjeçari dëshiron të transferohet në “Etihad”, por kontrata që ka me “Spërsat” deri në 2024 i jep luksin klubit të tij që të luajë fort. Ata nuk bëjnë asnjë ulje nga 150 milionë paundët që kërkojnë për kartonin, një shifër që Siti po ngurron ta paguajë.

Kapiteni i “Tre Luanëve” do t’i japë fund rebelimit të tij këtë fundjavë, kur pritet të vendoset nën urdhrat e trajnerit të ri, Nuno Espirito Santosit, dhe do të duhet të përballet edhe me një gjobë nga klubi për mungesën gjatë këtyre ditëve në stërvitje.