Pas përfundimit të javës së 21 të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve Kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, sipas skemës 1-4-3-1-2, duke vlerësuar paraqitjet më të spikatura individuale.
Në portë është zgjedhur Martin Janacek i AF Elbasanit. Verdheblutë regjistruan një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Dinamo City me rezultatin 2-0, ku kontributi i portierit ishte vendimtar, duke ruajtur portën të paprekur.
Reparti i mbrojtjes përbëhet nga Emiljano Musta i AF Elbasanit, Erdenis Gurishta i Vllaznisë, Artan Jazxhi i Teutës dhe Lirim Kastrati i Vllaznisë.
Në mesfushë janë përzgjedhur Arli Pergjoni i Bylisit, Serxho Vogli i Tiranës dhe Patrik Myslovic i Tiranës.
Irgi Kasalla i Vorës mbështet repartin ofensiv, ku në sulm janë Sherif Kallaku i Vllaznisë dhe Ibrahima Diallo i AF Elbasanit.
Trajneri i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenovic, është përzgjedhur trajneri më i mirë i javës. Nën drejtimin e tij, Elbasani po zhvillon një sezon pozitiv dhe aktualisht renditet në vendin e tretë në kampionat, vetëm një pikë larg Vllaznisë dhe Egnatias, duke konfirmuar konkurrencën e fortë në krye të renditjes.



