Manuel Nojer nuk luajti në ndeshjen e fundit ndaj Leverkusenit, pasi vuajti një dëmtim në gishtin e madh të dorës së djathtë. Në fillim u mendua për një dëmtim të lehtë dhe portieri do të rikthehej fill pas ndeshjes në Leverkusen. Por, deklarata e Hasan Salihamixhiç para ndeshjes të së shtunës i ka trembur jo pak tifozët bavarezë.
“Dëmtimi i Nojerit është shumë i komplikuar. Nuk mund t’u them një datë të saktë për rikthimin e tij. Shpresoj që ai t’i bashkohet skuadrës sa më shpejt”, ishin fjalët e drejtorit sportiv të Bajernit. Të dielën ai ishte në fushën e stërvitjes së bashku me skuadrën.
Por, sipas të pranishmëve, ai ka kryer vetëm vrapime dhe pasime me top. Ai ndien ende dhimbje në dorë, duke e mbajtur atë të fashuar. E sigurt është që kapiteni do të mungojë edhe në ndeshjen e së mërkurës ndaj Hertës për Kupën e Gjermanisë.
SEZONI NË RREZIK
Shumë tifozë janë tani skeptikë për faktin se portieri nuk do të rikthehet së shpejti me skuadrën. Stafi mjekësor, trajneri dhe drejtuesit bavarezë, përveç Salihamixhiç, ende nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare. Ende nuk dihet gjendja reale e tij. A do të humbasë Nojer ndeshjen e Champions-it ndaj Liverpulit?
A do të rikthehet ai në ndeshjet e kampionatit? Shumë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje. Sipas “skysport”, dëmtimi i tij është më serioz dhe ai do të mungojë rreth tre muaj me bavarezët nëse dëmtimi në dorë është aq i rëndë sa mendohet. Kjo do të thoshte një humbje të sezonit ashtu si në vitin e kaluar.
Kujtojmë se gjermani u dëmtua në vjeshtën e 2018-ës, duke mos luajtur më asnjë takim deri një javë para se të startonte kampionati botëror. Gjithsesi, një përgjigje e detajuar pritet të jepet në ditët në vazhdim mbi gjendjen e kapitenit të skuadrës më të titulluar në Gjermani. Sven Ulraish pritet të qëndrojë në portë edhe për ndeshjen me Hertën në Kupën e Gjermanisë që do të luhet nesër në orën 20:45 në “Olympia Statdion” të Berlinit.