Kërkesa zyrtare e pesë donatorëve për të marrë Vllazninë apo dhe dëshira e shprehur në media nga Valter Fushaj, mund të krijojë njëfarë mënyrë një paqartësi për mënyrën si do të zgjidhet kjo çështje. Por ai që ka folur në lidhje me këtë çështje është pikërisht nënkryetari I Bashkisë Ritvan Troshani që ka thëën: “Mund t’u konfirmoj zyrtarisht se deri më tani ka paraqitur interes për të marrë drejtimin e Vllaznisë vetëm biznesmeni Agron Çela. Ai ka ardhur në Bashki dhe ka dashur të mësojë mbi atë se si do funksionojë klubi në të ardhmen.


Sa I takon biznesmenit tjetër, dhe njëkohësisht ish- presidentit Valter Fushaj, unë vetëm në media e kam lexuar se ai është I gatshëm të financojë por deri në këto momente ende nuk e ka shprehur këtë interes të tij aty ku duhet, në zyrat e Bashkisë. E kam parasysh dashamirësinë e tij por gjërat duhen bërë në mënyrë institucionale. Ndërkohë, konfirmoj se ne si Bashki, kemi gjetur hapësirën e duhur ligjore për kalimin e klubit të futbollit Vllaznia në përdorim të biznesmenëve dhe këtë gjë do ta miratojmë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në fundin e muajit dhjetor. Pasi ta kemi kryer edhe këtë proces, atëherë do mbetet zgjedhja e drejtuesit të ri të klubit. Nëse ka më tepër se një person të interesuar, atëherë secili prej tyre do paraqesë një projekt sesi e mendon drejtimin e Vllaznisë dhe kuptohet që do fitojë projekti më bindës dhe më I mirë për këtë skuadër. e rëndësishme për ne është që për ta marrë Vllazninë në përdorim, biznesmenët kanë shfaqur interes”- ka sqaruar Troshani.
Gjergj KOLA