Zamir Shpuza ditën e sotme rikthehet në Shkodër. Natyrisht jo ashtu siç ka qenë herën e fundit që ka shkelur në vendin e tij të dashur. Sot vjen trupi dhe shpirti i tij. Për të qenë këtu përgjithmonë, pranë familjes së tij, pranë shkodranëve dhe shqiptarëve të tij. Mund të kishte qëndruar edhe në Gjermani, vendin që i dha shumë hapësirë për të jetuar dhe për të bërë karrierë edhe në futboll. Atje kishte shumë miq. Por jo më shumë se në Shkodrën e tij. Për këtë arsye, në orët e para të mëngjesit të sotëm, arkivoli me trupin e ish- futbollistit të Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare, do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit.


Për t’u nisur më pas drejt qytetit të tij të lindjes. Familje Shpuza në fakt ka ditë që ka hapur dyert e mortit. Me një dhimbje të madhe sepse nuk e kishte menduar kurrë se do ndodhte kështu. Megjithatë, jeta dhuron edhe të tilla gjëra të hidhura. Pas ceremonive që do zhvillohen pranë familjes, trupi i tij do t’i drejtohet nga Lagjja Kiras ku ka patur shtëpinë, drejt qendrës së qytetit. Pikërisht drejt hollit të Prefekturës Shkodër, aty ku nga ora 13.30 deri në 14.30, për 60 minuta me rradhë shkodranët dhe jo vetëm, do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit Tutos. Do të kenë mundësinë e fundit, të brohorasin për të si në kohën kur ai ishte futbollist dhe i kënaqte me lojën që zhvillonte. Do të kenë mundësinë të përmballen me djaloshin që nuk mërzitej kurrë sepse në fakt, kjo duhet të jetë e fundit herë që do ta bëjnë këtë gjë. Por Bashkia Shkodër dhe Klubi Vllaznia duan t’i bëjnë nderimet e duhura kësaj figure të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Prandaj dhe do ketë homazhe mbi trupin e tij. Kjo është më e pakta që mund të bëhet dhe në Shkodër në fakt, e bëjnë mirë respektin ndaj njerëzve që kanë kontribuar në vite për të. Këto vitet e fundit në fakt, dhimbja ka qenë e madhe sepse ky qytet ka përcjellë njëri pas tjetrit dhe në moshë shumë të re Agim Tafilin fillimisht, më pas Artan Bushatin e tani Zamir Shpuzën. Kështu kishte qenë e shkruar. E rëndësishme është që kujtimi i tyre do mbetet gjatë mes nesh.
Gjergj KOLA