Mbledhja e të hënës mes drejtuesve të lartë të shteti, FSHF-së dhe pjesës më të madhe të presidentëve të klubeve, do të shërbejë jo vetëm për të diskutuar për dhunën në impiantet sportive dhe kthimin e forcave të rendit brenda tyre për rifillimin e aktiviteteve.

FSHF, por edhe drejtuesit e klubeve kanë bërë gati një paketë me kërkesa që do t’ia parashtrojnë kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të kabinetit të tij të pranishëm në këtë mbledhje, duke kërkuar shumë zgjidhje për problemet që shqetësojnë futbollin shqiptar.

Kështu, pjesë e kërkesave për amendim në Ligjin për Sportin janë edhe lehtësimet në privatizimin e plotë të klubeve, ndryshimi i sistemit fiskal sa i përket investimit në futboll si rimbursimi i TVSH apo më pak taksa për subjektet që investojë në këtë sport.

Ndërkohë, një kërkesë shumë e rëndësishme për disa klube është që të falen borxhet që ato kanë krijuar ndër vite ndaj Tatimeve.

Sipas të dhënave të fundit, pjesa më e madhe e klubeve rezultojnë të jenë të zhytura në borxhe si pasojë e mospagesës të detyrimeve financiare ndaj shtetit e si rrjedhojë, llogaritë e tyre janë bllokuar duke sjellë vështirësi në vijimin normal të punës.

Të gjitha këto kërkesa do të trajtohen në këtë tryezë që është organizuar ditën e hënë e që pritet t’i japë zgjidhje, ose të paktën ide se si mund të zhvillohet më mirë sporti i futbollit në vendin tonë. /vipsport/