Vllaznia nuk heq dorë nga Engin Firat. Edhe pse turku u prezantua si trajner i kombëtares së Moldavisë, ai do ta vijojë bashkëpunimin me klubin. Është vetë Suad Lici që qartëson pozicionin e ish-drejtorit sportiv në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”

Administratori ngre në “qiell” punën e bërë prej ish-zyrtarit të klubit dhe nuk e quan aspak të bujshëm këtë transferim. Ai kujton që me CV-në që disponon turku, mund të merrte çdo lloj skuadre.

“Engin Firat do të vazhdojë që të jetë pjesë e Vllaznisë. Unë nuk do ta quaja aspak habi dhe aq më pak të bujshëm transferimin e tij në stolin e një kombëtareje, siç është ajo e Moldavisë.

Firat ka qenë trajner i Fenerbahçes dhe ka dhënë mjaft kontribute të mëdha, ndaj unë nuk çuditem. Unë di të them që Firat do të jetë sërish pjesë e projekteve të klubit të futbollit Vllaznia”, u shpreh Lici.

Të njëjtin plan duket se ka edhe turku, të paktën këtë mësohet t’u ketë thënë drejtuesve shkodranë. Marrëveshja që ai ka bërë me moldavët është e qartë. Fillimisht do ta drejtojë ekipin për dy ndeshjet e mbetura të eliminatoreve dhe më pas do të ulet me përfaqësuesit e federatës për të folur për kontratën dhe vazhdimësinë.