✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Shumë fëmijë po luajnë futboll me ëndrrën e madhe që një ditë të bëhen të famshëm. Edhe shkodranët, shqiptarët, tashmë kanë një mundësi të artë për ta treguar talentin e tyre jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Mundësitë sot janë reale dhe të shumta.
Tashmë ka shumë opsione që përmes pjesmarrjes në turne të ndryshëm ndërkombëtar të bien në sytë e skautëve dhe menaxherëve të ndryshëm. Dhe një mundësi e tillë e artë ka ardhur së fundi dhe u është mundësuar atyre nga shkodrani që jeton në Gjermani, Arben Lekaj.
Ai ka bërë të ditur në mënyrë ekskluzive për Gazeta “Shkodra Sport” se në datat 19-22 qershor të vitit të ardhshëm, në Dortmund do të zhvillohet një turne ndërkombëtar me pjesmarrjen e shumë ekipeve nga Bundesliga, por edhe nga vende të tjera.
Lekaj ka deklaruar se pas shumë bisedimeve me organizatorët e këtij turneu, ka rënë dakord me ta që t’u krijohet mundësia edhe ekipeve të ndryshme nga Shqipëria (kuptohet nga Shkodra) për të marrë pjesë në të. Bëhet fjalë për ekipe me futbollistë të datëlindjes 2014, 2015 dhe 2016.
“Mendoj se është një mundësi e mirë që edhe futbollistët shkodranë të tregojnë vlerat e tyre në një turne të tillë. Unë punoj çdo ditë për këtë gjë në mënyrë që ata të kenë mundësi më të mira, kushte më të mira dhe përvoja më të mëdha ndërkombëtare. Prandaj dua të bëj një thirrje për të gjitha akademitë shkodrane: Nëse doni që fëmijët tuaj të tregojnë talentin në një nga qytetet futbollistike më të rëndësishme në Gjermani siç është Dortmundi, ky është momenti ideal!
Futbolli shkodran, krenaria e qytetit — tani edhe në Dortmund!
Për më shumë detaje, mjafton të më kontaktojnë mua në mënyrë që t’i udhëzoj për detajet e turneut dhe më pas vetë ata përmes emailit zyrtar të organizatorëve duhet të konfirmojnë pjesmarrjen e tyre. E përsëris, është një mundësi e artë që futbollistët e vegjël shkodranë të tregojnë vlerat e tyre në këtë turne të rëndësishëm ndërkombëtar”- është shprehur Arben Lekaj.







