Është hedhur ditën e djeshme shorti për fazën e 1/16-ave të Kupës së Mbretit në Spanjë dhe ekipet si Ibiza apo Unionistas kanë festuar sepse do të përballen me dy ekipet më të mëdha, Barcelonën dhe Realin e Madridit. Unionistas do të jetë rivali i “Galaktikëve” dhe historia e tyre është tepër e veçantë.

Janë krijuar si skuadër në vitin 2013 dhe militojnë në Segunda Division B. Të gjithë lojtarët dhe drejtuesit e kanë ndjekur me vëmendje shortin dhe në momentin kur goglat i vunë përballë Realin e Madridit ata festuan si të çmendur.

Nuk ndodh shpesh që të luajnë ndaj “Galaktikëve” dhe ky është shansi i jetës për ta. Nuk e marrin fare parasysh faktin që rrugëtimi i tyre mund të ndërpritet këtu, sepse shanset për t’u kualifikuar janë minimale, për të mos thënë zero. Por lojtarët e kanë marrë me humor gjithçka që ndodhi.

Disa prej tyre folën për mediat dhe duke qeshur thanë se në këto momente Zinedin Zidan është duke e bërë në brekë nga frika, bashkë me skuadrën e tij. “Reali duhet të bëjë kujdes, sepse ne nuk e nisim të humbur.

Mendoj se trajneri i tyre është frikësuar në maksimum dhe po e bën në brekë. Është ëndrra jonë që të luajmë përballë kësaj skuadre”, thanë disa nga lojtarët, që ishin shumë të emocionuar.

STADIUMI– Vështirë nëse quhet stadium, por ndoshta fushë stërvitore. Ai ka kapacitet 4 mijë persona, por me shumë mundësi ndeshjet nuk do të zhvillohen aty, por në stadiumin ngjitur.

Ai është i rivalëve dhe ndodhet 50 metra nga “Pistas”. Aty mund të akomodohen 17 mijë tifozë, por zëvendëspresidenti i Unionistas thotë se mund ta luajnë sfidën në stadiumin e tyre të vogël në rast se nuk do t’i detyrojnë.

Ka dyshime të mëdha për ndriçimin e stadiumit, por edhe për pistën e atletikës, e cila vështirëson ndeshjen dhe transmetimin. Gjasat janë që ndeshja të mos zhvillohet në “El Helmantico”, por në “Las Pistas” dhe ka edhe bekimin e federatës.