Komisioni i Disiplinës dënoi të mërkurën me dy takime pezullim trajnerin e Vllaznisë, Mirsad Jonuz, si dhe mbyll gjithë tribunën e “Loro Boriçit”. Trajneri është dënuar, sepse ka polemizuar me gjyqtarët.
Mirsad Jonuz betohet se nuk ka sharë apo goditur askënd në sfidën mes Vllaznisë dhe Bylisit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri i kuqebluve ka qenë i qartë dhe i habitur njëkohësisht me vendimin e Komisionit të Disiplinës. Nuk kërkon as të justifikohet dhe as të tregojë diçka, por publikisht thotë se nuk ka ofenduar askënd dhe këtë e thotë si burrë.
“Nuk e di përse jam dënuar. Nuk kam ofenduar askënd… Ju betohem”, thotë fillimisht maqedonasi i shkodranëve. Mirsad Jonuz nga ana tjetër pranon se nuk do ta lërë me kaq, por do të vendosë drejtësi për padrejtësinë që i kanë bërë zyrtarët e federatës.
“Do ta apeloj vendimin”, ishin fjalët e trajnerit të Vllaznisë. I pyetur nëse dënimi ka ardhur për disa fjalë më tepër ndaj gjyqtarit apo prej polemikës me delegatin e takimit, Jonuz mban qëndrimin e tij.
“Reagimi im ishte njerëzor dhe sporadik. Nuk kam goditur apo sharë askënd”, vazhdon më tej ai. Ama përtej fjalëve dhe premtimeve, tani ndaj Tiranës Vllaznia trajnerin do ta ketë në tribunë. Vetë maqedonasi i shkodranëve thotë se rruga e skuadrës është e lavdishme dhe këtë ua premton të gjithë tifozëve kudo që ndodhen.
“Kam një mesazh për tifozët dhe lojtarët e mi. Ne do të dalim shumë shpejt nga kjo situatë dhe do të jemi më të fortë. E pranoj që kjo është goditje e madhe për të gjithë ne”, e mbylli fjalën e tij për “Panorama Sport” Mirsad Jonuz.