U largua pas 9 sezonesh nga Vllaznia, ku provoi si triumfin dhe dështimin me kuqeblutë. Fjala është për Erdenis Gurishten, i cili në merkaton e kësaj vere la shkodranët për të provuar për herë të parë në karrierën e tij një aventurë jashtë vendit. Mbrojtësi kaloi në kampionatin bullgar, për tu bashkuar me CSKA 1948 Sofia.
Ekipi kryeqytetas që e mbylli sezonin e shkuar në vendin e tretë në Bullgari ishte i bindur për cilësitë e 28-vjeçarit. Duke i ofruar kështu një kontratë për ta bërë të tyrin. Dhe menjëherë ish-futbollisti i Vllaznisë është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm të formacionit. Kjo jo vetëm në miqësoret para përgatitore, por edhe në sezonin që tashmë ka nisur në Bullgari.
CSKA 1948 Sofia ka marrë dy fitore në dy javët e para të kampionatit. Ku tashmë kryeson me pikë të plota, duke pasur të shënuar 5 gola dhe pësuar vetëm 1. Kjo si meritë edhe e Gurishtes dhe shokëve të tij të repartit të prapavijës, ku shkodrani konsiderohet i rëndësishëm. Minutat kanë qenë të plota për mbrojtësin e djathtë, që për momentin po shijon një formë të mirë personale, por edhe ekipore.
Pas dy ditësh, skuadra bullgare do jetë sërish në fushë dhe kësaj rradhe për ndeshjet e Conference League. Ku përballë do kenë gjigandët e futbollit ballkanas, Steauan e Bukureshtit. Një sfidë që patjetër mund të provojë edhe njëherë vlerat e ish-kapitenit të Vllaznisë, Erdenis Gurishta.
Endri ÇINARI