Erzeni arriti që të kthehet në Kategorinë Superiore pas një mungese 19-vjeçare dhe pa dyshim kjo ishte një arritje e madhe për skuadrën shijakase. Gëzimi i suksesit ishte madh, por prej kohësh kjo arritje po mbështillet me shumë pikëpyetje dhe tymnaja për të ardhmen e skuadrës në Superiore.

Që nga mbyllja e sezonit të shkuar në Kategorinë e parë dhe deri më sot, ku ka kaluar gjysma e muajt qershor, nuk ka asnjë informacion nga kampi shijakas. Kjo heshtje dhe pasiguri ka bërë që të rrisë nivelin e shqetësimit te tifozëria shijakase, e cila e kishte pritur me padurim kthimin e skuadrës së saj në Superiore.

Madje shqetësimin e tyre tifozët shijakas po e shfaqin në rrjetet sociale, ku u bëjnë kërkesë drejtuesve të pushtetit vendor, si dhe drejtuesve të klubit që të dalin dhe të informojnë qytetarët shijakas se çfarë po ndodh me Erzenin, i cili ka mbetur pa busull.

Askush nuk e di se sa do të zgjasin pushimet verore të skuadrës dhe cili do të jetë plani për të debutuar në Superiore, ku pa dyshim duhen afrime cilësore për të mos mbetur kalimtarë në elitë.