Esli Sala është një nga emrat që u lidh me një kalim tek Vllaznia në këtë sesion merkatoje. Mesfushori që ka mbyllur aventurën 3-vjeçare në Maltë me skuadrën e Vallettas, tashmë është një lojtar i lirë dhe i vlefshëm për skuadrat e Superligës.

Për momentin tek shkodranët duket se e kanë mbyllur çështjen e përforcimeve në mesfushë. Kjo duke parë afrimet e Boshnjakut, Vulajt apo edhe Markut së fundmi. Por për Salen duket se interesi nga klubet e Superligës shqiptare është i lartë.

Për 22-vjeçarin janë dy skuadra siç mëson “Shkodra Sport” që janë në garë për shërbimet e tij. Tashmë shumë shpejt pritet zyrtarizimi i tij në një nga ekipet e kampionatit tonë.

Për shkodranin do ishte aventura e tij e parë në futbollin shqiptar. Kjo pasi i formuar dhe rritur tek akademia Ajaks në Shkodër, mesfushori është aktivizuar si profesionist vetëm në kampionatin maltez për 3 sezone.

Tani duhet të presim për ecurinë e bisedimeve, por me siguri Salen do e shohim në Superligë sezonin që vjen, por se me cilën fanellë është ende enigmë. Një gjë e tillë do merret vesh shumë shpejt.
Endri ÇINARI