Shqipëria ditën e sotme është zgjuar me dy lajme negative në luftën me koronavirusin. Një 43-vjeçar nga Kavaja humbi jetën e më pas u raportua për një 61-vjeçar, i cili do të ishte pacienti i pestë i mundur nga sëmundja.
Ky i fundit është Skënder Kurti, ish-trajner boksi në klubin e Tiranës dhe kombëtares. Megjithatë, më pas u njoftua se Kurti ka pësuar vdekje klinike dhe akoma nuk i ka humbur të gjitha shpresat.
Pas kësaj, në një deklaratë për mediet ka dalë mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i cili ka shpjeguar se pacienti ka pësuar fillimisht vdekje klinike dhe pas një përpjekje të gjatë të mjekëve është kthyer në jetë, por gjendja e tij vijon të jetë e rëndë.
“Kemi raste të rënda dhe kemi raste shumë të rënda sikundër janë pacientët e shtruar në repartin e terapisë intensive, midis të cilëve njëri nga rastet sot në mëngjes ka bërë vdekje klinike, vdekje që zgjati relativisht gjatë por pa e humbur shpresën e personelit shëndetësor, të mjekëve reanimator për ta rikthyer atë në jetë. Fatmirësisht u rikthye në jetë por vazhdon të jetë ende rëndë”, deklaron Pipero. /vipsport.al/