Al Itihad është shpallur kampion në Arabinë Saudite. Skuadra ku luan Mario Mitaj fitoi 1 me 3 në transfertën e Al Raed. Dhe pse asgjë nuk u duk e lehtë pasi vendësit shënuan të parët, skuadra e Mitajt ia doli të reagojë.

Ky është titulli i 10-të për ta në historinë e klubit. Mitaj, Benzema dhe pjesa tjetër e grupit u panë mjaft të lumtur, kur kanë mbetur dhe 3 javë për t’u luajtur. Kujtojmë se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u afrua në fillim të sezonit si huazim tek Al Itihad, që më pas vendosi të blinte kartonin e tij nga Lokomotiva e Moskës.

Mitaj ka lënë pas edhe një dëmtim. Menjëherë është preferuar në dy ndeshje radhazi si titullar. Pas këtij suksesi, ka qenë vetë mbrojtësi, i cili ka reaguar në rrjetet sociale:

“Krenar që të kurorëzohem kampion dhe të fitoj trofeun e parë me një skuadër fantastike. Nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e shokëve të skuadrës. Falënderoj tifozët ‘tigra’ për mbështetjen e çmendur. Marshallah”, shkruan Mitaj në “Instagram”.

Mbrojtësi do të vijojë edhe dy javët e tjera të kampionatit për të marrë sa më shumë minuta. Ndërkohë, një pengesë për përgatitjet me Kombëtaren mund të bëhet finalja e Kupës, që Al Itihad luan me Al Qadisia më 30 maj.