Në Angli klubet mund të shpenzojnë deri në 85% të të ardhurave të tyre për koston e grupit të lojtarëve. Kështu rrezikohet që askush të mos rivalizojë në merkato me këto klube.
Pasanikët e futbollit europian, – klubet angleze – po bëhen gjithnjë e më të pasur dhe po shpenzojnë gjithmonë e më shumë. UEFA po ndjek me shqetësim të madh rregullat e reja financiare të aprovuara nga Premier League, pasi i fikësohet faktit se mund të prishen ekuilibrat ekonomikë dhe sportivë të futbollit europian.
Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, klubet angleze do të veprojnë sipas sistemit të quajtur “Squad Cost Ratio (SCR)”, që i lejon skuadrat e nivelit më të lartë të kalojnë deri në 85% të të ardhurave për koston e grupit të lojtarëve. Këtu përfshihen pagat dhe transferimet e lojtarëve.
Në rrethana të caktuara, falë mekanizmave të tolerancës, kufiri mund të shkojë deri në 115%. Limiti i fiksuar nga UEFA për skuadrat e impenjuara në kompeticionet europiane, sipas BBC-së, është shumë më i ulët, 70% të të ardhurave. Një kufi që ulet më shumë në Serie A.
Në këtë situatë, klubet e Premier League që nuk marrin pjesë në turnetë europianë mund të shpenzojnë shumë më shumë se rivalët e tyre të kontinentit. Kështu fuqizohet edhe më shumë ekonomia e kampionatit anglez. Mjafton të shikojmë dominimin anglez në Champions League, ku janë 6 klube në 1/8-at e finaleve.
Shqetësimi i UEFA-s lidhet me faktin se ky ekuilibër rrezikon t’i vërë nën presion klubet e kampionateve të tjera, që mund të nxiten të shtojnë kostot dhe të marrin më shumë rreziqe financiare për të mbajtur lojtarët e vet.
Andrea Traverso, drejtor i qëndrueshmërisë financiare të UEFA-s, ka pohuar se Premier League gjeneron tashmë rreth çerekun e të ardhurave totale të klubeve europiane dhe se një shtim i mëtejshëm i shpenzimeve mund të largojë vëmendjen nga talentet në Angli. Të dhënat e fundit tregojnë se rreth 40% e lojtarëve më të vlerësuar në botë luan në skuadrat angleze.
Një tendencë që sipas UEFA-s, është e destinuar të forcohet më shumë me sistemin e ri. Premier League i ka hedhur poshtë kritikat. Administratori i deleguar, Richard Masters, ka shpjeguar se modeli i ri synon të garantojë një garë të brendshme më kompetitive, duke u ofruar klubeve që nuk marrin pjesë në kupat europiane mundësinë të investojnë për të ngushtuar diferencën me klubet më të pasura.


